Në vitin 2018, për të dytën herë, Fondacioni ARTE fiton të drejtën për të organizuar koncertin Gala “Ndërmendje” në Shkodër.
Aktiviteti ka sjellë risi, krahasuar me atë të vitit 2017, përsa i përket solistëve pjesëmarrës dhe programit të paraqitur. Kësisoj, duke synuar që të promovojë artistët shkodranë me karrierë ndërkombëtare, Fondacioni ARTE ka siguruar pjesëmarrjen e violinistes Cecilia Laca (violiniste pranë teatrit San Caelo – Napoli, Itali) në cilësinë e solistes.
Njëherazi i është kushtuar vëmendje edhe artistëve Shkodranë rezident në Republikën e Shqipërisë si baritonit Armando Likaj (solist pranë TKOB), sopranos Klodiana Brahimi dhe nxenëses së Liceut Artistik Shkodër, Niki Mjeda.
Përpos artistëve të sipërpërmendur, Ndërmendje 2018 parashikoi edhe promovimin e artistëve të rinj, fitues në Konkursin “Pjetër Gaci”, një tjetër aktivitet ky mjaft i rëndësishëm për qytetin e Shkodrës dhe artistët e rinj shqipfolëse, qëkurse është konkursi më i madh i artistëve të rinj Shqiptar në rajon.
Kësisoj Granit Musliu (Kosovë) interpretoi nën shoqërimin e Orkestrës Simfonike të RTSH-së vepra nga kompozitorë mjaft të njohur dhe u prit shumë mirë nga publiku Shkodran. Koncerti “Ndërmendje”, nisur nga suksesi i vitit 2017, erdhi nen interpretimin e orkestrës simfonike të RTSH-së e cila u drejtua nga z. Noorman Widjaja.